top of page

Si t’a zgjidhni avokatin tuaj në Mbretërinë e Bashkuar?

Për dallim nga shumica e sistemeve juridike në botë në Mbretërinë e Bashkuar ekzistojnë dy lloj avokatësh. Njëri lloj quhet barrister dhe tjetri quhet solicitor. Esencialisht ata kanë të njëjtat obligime ndaj klientëve, gjykatave dhe palëve me të cilat kanë kontakte gjatë një rasti. Megjithatë ata dallojnë nga njëri tjetri në një aspekt të rëndësishëm: barristerët janë të specializuar si avokatë për gjykata, ndërsa shumica e solicitorëve janë të bazuar në zyrë dhe janë pika e parë e kontaktit për klientët. Pas kualifikimit barristerët kanë të drejtë automatike të paraqiten në të gjitha gjykatat në Angli dhe Uells. Solicitorët kanë të drejtë të paraqiten në gjykata të shkallës së parë ndërsa për paraqitje në gjykatat e larta duhet të aplikojnë për liçencë shtesë. Në të shumtën e rasteve solicitorët angazhojnë barristerët kur rasti shkon në gjykatë dhe kur nevojiten këshilla specifike rreth rastit, ligjeve dhe përgaditjes së dokumentave dhe dëshmive. Kjo është e ngjashme me rastin e mjekut të praktikës së përgjithshme i cili referon pacientët tek mjeku specialist. Solicitori e ka rolin e ngjashëm me atë të mjekut të praktikës së përgjithshme ndërsa barristeri atë të mjekut specialist. Që të dy llojet e avokatit duhet të punojnë sipas rregullave dhe ligjeve përkatëse të cilat rregullojnë punën e tyre. Në Angli dhe Uells solicitorët mbikëqyren nga institucioni i quajtur Solicitors Regulation Authority institucion ky i cili është përgjegjës ndër të tjera për liçencimin e tyre, diciplinimin e tyre në raste të shkeljeve të rregullave profesionale dhe ligjore dhe hartimin e kodit të punës së tyre. Ndërsa për barristerët këtë funksion e kryen institucioni i quajtur Bar Standards Board. Barristerët për të qenë në gjendje të punojnë me titullin barrister duhet t’a kenë liçencën e punës. Emrat e të gjithë barristerëve të liçencuar gjinden në regjistrin e barristerëve, i quajtur në anglisht ‘The Barristers’ Register’, i cili mirëmbahet nga Bar Standards Board. Regjistri gjindet online në ueb faqen e Bar Standards Board www.barstandardsboard.org.uk dhe aty keni mundësi të kërkoni me emër barristerin që ju intereson duke klikuar në butonin The Barristers’ Register dhe pastaj në butonin ‘search’. Barristerët në përgjithësi nuk kanë kontakt direkt me klientët, por ka të tillë që pranojnë raste direkt nga publiku pa angazhimin e solicitorit. Barristerët që zgjedhin të kenë kontakt direkt me klientë janë të regjistruar nën skemën e quajtur ‘Direct Access’ dhe kjo gjë konfirmohet në regjistrin e barristerëve. Detajet e solicitorëve që punojnë nëpër firma private ligjore gjithashtu gjinden në regjistrin e solicitorëve online në ueb faqen www.lawsociety.org.uk. Edhe në këtë ueb sajt ekziston mundësia e kërkimit të emrit të solicitorit që ju intereson përmes butonit ‘Search’ nën titullin ‘Find a Solicitor’ i cili gjindet në anën e djathtë në ueb faqen kryesore. Ofrimi i shërbimeve ligjore me titullin barrister ose solicitor nga dikush që nuk ka liçencë barristeri apo solicitori përbën vepër penale.

Në rastet kur iu nevojitet ndihmë juridike hapi i parë që duhet të ndërmerrni është angazhimi i avokatit që është i specializuar në lëminë ligjore që mbulon rastin tuaj. Shumica e firmave të solicitorëve dhe të barristerëve kanë ueb sajte në internet ku japin detaje rreth lëmive ligjore në të cilat punojnë. Hapi i parë është që të mbledhni sa më shumë informata rreth firmës si dhe avokatit apo avokates që dëshironi t’a angazhoni në rastin tuaj. Ka edhe ueb sajte të cilat i rangojnë firmat dhe avokatët sipas kategorive të ndryshme. Këto quhen ‘legal directories’. Përgjegjësia mbetet tek klienti që t’a zgjedhi avokatin që ai apo ajo dëshiron pasi të ketë bërë hulumtime rreth tyre. Në të shumtën e rasteve duhet të angazhoni së pari solicitorin. Nëse dëshironi të angazhoni barrister atëherë duhet t’a pyesni nëse ai është i regjistruar nën skemën Direct Access e cila ia mundëson të punoj direkt me ju pa angazhimin e solicitorit. Kjo siguron që të keni më pak shpenzime për shkak se solicitorët nuk angazhohen fare në rast në disa raste. Nëse barristeri nuk pranon rastin direkt nga ju atëherë duhet të angazhoni solicitorin i cili/ e cila pastaj angazhon barristerin në kohën e duhur. Avokatët duhet t’iu përmbahen rregullave profesionale dhe ligjeve përkatëse gjatë punës së tyre. Nëse keni ndonjë pakjartësi gjithmonë duhet të kërkoni nga avokati juaj t’iu kjartësoj gjërat. Keni të drejtë të kërkoni të flisni me menagjerin e avokatit nëse nuk i merrni përgjigjet e duhura nga ai. Avokatët e kanë për detyrë t’iu mbajnë të informuar rregullisht rreth pozitës së rastit dhe kostos financiare. Ueb sajtet e Bar Standards Board dhe Law Society, por edhe ueb sajte tjera profesionale, japin detaje të shumta rreth firmave ligjore, barristerëve dhe solicitorëve. Prandaj, informohuni sa më shumë rreth këtyre profesionistëve, rreth natyrës së punës së tyre dhe rreth të drejtave tuaja, para se t’i angazhoni në rastin tuaj.

Ky artikull u botua në gazetën The Albanian në Londër.


Recent Posts

Archive

Follow Us

  • Grey Facebook Icon
  • Grey Twitter Icon
  • Grey LinkedIn Icon
bottom of page